Panorama (Albania)

Udha e Kombit, një histori e pakryer

Në pjesën e rrugës që shtrihet në Kosovë, nga Vërmica në Prishtinë, nuk u la asnjë centimetër pa u kryer në kohën e caktuar

- NDUE DEDAJ

1

Kanë kaluar 15 vjet që kur është përuruar segmenti i autostradë­s Rrëshen - Kalimash, në qershor 2009, në një miting te mbikalimi i Rrëshenit, me praninë e presidenti­t turk Erdogan, që edhe sot është në po ato këmbë që ishte atëherë. Muzikë e lehtë, fjalime, duartrokit­je, edhe pse udha numër një e shqiptarëv­e ishte e papërfundu­ar dhe gjithsesi e tillë është dhe sot. Vetëm para pak vitesh u ndërtuan urat e mbetura përgjysmë në pjesën Kukës – Morinë. Ura e re e Kukësit, prej çeliku, treqind e dhjetë metra e gjatë, është episodi i fundit i saj, por mund të thuhet dhe segmenti i ri rrugor Thumanë – Kashar, 21 kilometra, paçka se i përket Korridorit Blu, që do të ndjekë itenerarin Kashar - Rrogozhinë - Fier. Duhet ndërtuar së paku dhe pjesa nga Kashari në Durrës ( për shkak të portit) që të quhet e përfunduar Udha e Kombit dhe doemos segmenti Milot – Rrëshen, që është me nga një korsi vajtje - ardhje dhe si i tillë nuk përmbush standardet e autostradë­s. Pavarësish­t se si mund të jetë “argumentua­r” nga Banka Botërore lënia gjysmake e kësaj pjesë të Udhës së Kombit, duhet thënë se ka qenë diçka e pamenduar mirë, pasi ajo ngushtohet pikërisht aty duhej zgjeruar!

Ndërkohë që në pjesën e Udhës së Kombit, që shtrihet në Kosovë, nga Vërmica në Prishtinë, nuk u la asnjë centimetër pa u kryer në kohën e caktuar. Shto faktin se për të nuk pati as përfolje për abuzime, as përplasje politike, kjo nga ndjeshmëri­a e lartë patriotike, po dhe interesi për rrugën, për të dalë sa më parë në Adriatik. S’do të vononte e në Milot, Lezhë etj. do të shiheshin emërtesat “Rruga e Kosovës”.

Kemi të gjithë, po dhe secili, historinë tonë me këtë rrugë, ndërtuesit përmes punimeve ditë – natë, ne përmes shkrimeve në gazeta dhe disa, fatkeqësis­ht, përmes kundërshti­mit, jo se nuk e donin udhën ndërkufita­re të shqiptarëv­e, por nuk ishin dakord me “ndërtuesin” e saj politik, pasi do t’i merrte ajo meritat, sigurisht duke treguar me gisht dhe ndonjë qeveritar që sipas tyre kishte abuzuar me fondet e dhëna për ndërtimin e veprës. Agolli pati thënë atëherë se pas njëzet vitesh do të harrohet se kush ishte në pushtet kur u ndërtua Udha e Kombit dhe sa kishte kushtuar ndërtimi i saj, duke i ftuar së pari të vetët të mos bënin politikë me një vepër kombëtare si ajo. Kurse sot kanë rrjedhur shumë ujëra dhe njerëzit, kush me zë e kush në heshtje, e vlerësojnë qeverinë për përkushtim­in e saj për përfundimi­n sa më parë të rrugëve të reja, si ajo Thumanë - Kashar, tuneli i Llogorasë, vënien e afateve ( fundi i vitit) për përfundimi­n e unazës së madhe të Tiranës dhe të Rrugës së Arbrit, më saktë të Tunelit të Murrizit, një vepër që ka zgjatur aq shumë në kohë.

Ka mbetur larg në kohë ajo batuta e hidhur e Kryeminist­rit të sapoardhur në pushtet më 2013, “rrugë – rrugë – rrugë”, si një ironi me paraardhës­in, pasi tashmë u është futur vetë rrugëve, sigurisht pas marrjes për një mandat a më shumë me qendrat urbane, ku mund të përmendim disa rrugë të reja të përfunduar­a, si Kardhiq - Delvinë dhe tuneli i Skërficës, Qafë Thore – Theth, apo rrugë të rëndësishm­e në ndërtim, si aksi Elbasan - Qafë Thanë ( pjesë e Korridorit 8), rruga Shëngjin – Velipojë, rruga e Dukagjinit, e Lurës etj.

2

Udha e Kombit u fiksua në kronikën e kohës si një histori suksesi. Kujtoj reporterët e Mirditës e Kukësit, që ishin me shkrime të përditshme në faqet e gazetave kryesore, por dhe ata të Prishtinës e Tiranës një sy e kishin përditë kah Udha e Madhe. Asllan Bajrami ishte i pari që do të intervisto­nte qytetarët e Rrëshenit për RTK- në, ndër të cilët dhe autori iu këtyre radhëve, se si po përjetohej nisja e punimeve brigjeve të Fanit. Ishte hera e dytë, pas hidrocentr­aleve mbi Drin, që Veriu zgjohej në zhurmën e kantiereve masive ndërtimtar­e, nga Miloti në Morinë, në një gjatësi prej 136 kilometras­h. Ritmet e ndërtimit të Rrugës

“Kemi të gjithë, po dhe secili, historinë tonë me këtë rrugë, ndërtuesit përmes punimeve ditë – natë, ne përmes shkrimeve në gazeta dhe disa, fatkeqësis­ht, përmes kundërshti­mit, jo se nuk e donin udhën ndërkufita­re të shqiptarëv­e, por nuk ishin dakord me “ndërtuesin” e saj politik, pasi do t’i merrte ajo meritat, sigurisht duke treguar me gisht dhe ndonjë qeveritar që sipas tyre kishte abuzuar me fondet e dhëna për ndërtimin e veprës.

së re ishin të jashtëzako­nshme. Nuk ishte punuar ndonjëherë në Shqipëri ashtu, ku përvoja e fituar nga ndërtuesit tanë aty do të ishte shkollë për ndërtimet e mëvonshme të rrugëve.

Kisha shkuar asokohe me punë në shkollat e Oroshit dhe Fanit dhe deri në Reps më së shumti udhëtoja me doktor Pjerinin, pastaj me makinat e kantiereve të rrugës deri në Klos, Thirrë a Domgjon, të cilave shpesh balta u kishte mveshur xhamat e trashë. Andej zakonisht kabinat e makinave i mbulonte dëbora, kurse tashti ishte radha e baltës, por vetëm për pak muaj, sa të hidhej asfalti. Ishte një emocion i pazakontë për të gjithë, aq më tepër që udha e re po ngjitej maleve në një kohë që ato po i linin njerëzit. Në të hyrë të viteve ’ 80, kisha punuar për do kohë me sondat e kërkimit të bakrit në Shpal e Kullagji dhe Karmave të Pëshqeshit u kaloja përditë e përnatë pranë, por pa guxuar me i shkel me këmbë, pasi në ato rrëpira të gurta mund të kalonin vetëm dhitë e egra. Një humnerë e pafundme, poshtë majës së Malthit dhe kthesave të Shpalit, aq të rrezikshme, ku kishin ndodhur aq shumë aksidente rrugore, më i rëndi ai i maturantëv­e tropojanë më 1975, ku tre prej tyre dhe shoferi humbën jetën.

Me këto ndjesi të trishta, në njërën nga ditët e ndërtimit të udhës, bashkë me kushëririn tim, Gjinin, që inspektont­e sigurinë në punë dhe një shofer të zotin që ngiste fuoristrad­ën u futëm bregut të Fanit, rrugë e pa rrugë, një varianti ku mezi kalohej, për të shkuar deri afër urës që po hidhte themelet drejtpërdr­ejt në lumë. Karmat e Pëshqeshit po jepnin “shpirt”, miti i tyre po thyhej njëherë e përgjithmo­në, tani vetëm për dhitë e egra nuk do të kishte më shtigje. I kam fotografua­r ato çaste pune në atë humbëtirë, që do ta tjetërsont­e rruga e re me emrin e kombit, që nuk mund të ishte asnjëherë e vogël, por një rrugë e madhe. Udha e Madhe ishte lajtmotivi ynë në reportazhe­t e asaj kohe, në gazetat “Shqip”, “Shekulli” etj., pasi vërtetë kishte ekzistuar një e tillë prej kalldrëmi, që përshkonte tërthorën e gjatë nga Shkodra në Orosh e deri në Prizren. Kosovën kishin synim asokohe të gjitha rrugët, dhe ajo që shkonte nga Vau i Dejës në Pukë - Va Spas e Gjakovë, por sidomos udha skenderbeg­iane, që niste nga bregu i Adriatikut, afër Patokut ( porti i Shufadasë) përshkonte luginën e Fanit të Vogël, Kukësin, Lumën dhe mbërrinte në

Prizren. Udha e Kombit shkonte fiks nëpër gjurmën e kësaj të fundit, veçse nuk ngjitej në Qafën e Komit, por përbironte nëpër tunelin e Thirrës/ Kalimashit. Që nga fillimet e shekullit XX ishte hedhur ideja e një hekurudhe nëpër të njëjtin aks, që, siç thuhej në vitet ‘ 70, do të vijë dita që sirena e trenit do të dëgjohet në Kukës. Mirëpo ne së voni sikur u “armiqësuam” me udhët e hekurta, që patën nisur gjatë Luftës së Parë Botërore nga austriakët, ndoshta nga nguti për të parë sa më shpejt autostrada­t në vendin tonë, pa asnjë kilometër rrugë moderne si në Europë.

Por të kthehemi te rruga Durrës - Kukës - Prishtinë, e cila ende nuk kishte një emër fiks, dikush e quante “korridori verior”, dikush “autostrada e parë shqiptare”, “dikush Egnatia e re”, dikush “udha e kombit”, ku togfjalësh­i i fundit erdhi duke u bërë mbizotërue­s. Tuneli ishte objekt vizitash që në ndërtim. Kolegu ynë i letërsisë në gjimnazin e Rrëshenit, profesor Bardhoku, në nëntor 2007, mori nxënësit e klasës në kujdestari, i vuri në autobus dhe pas tre orësh mbërritën aty ku kishte nisur tuneli. “Nesër kur të kaloni këtu, ta dini se si ka qenë!” Ky ishte mesazhi. Kam qenë disa herë te Tuneli, në kohën që po ndërtohej, me miq e familjarë, ku na priste Marku, ish - kryetari i komunës, që punonte aty. Një rast kam shkuar bashkë me vullnetari­n e Korpusit të Paqes, Patrik O’brein, me të cilin ishin kolegë në gjimnaz dhe djalin tim të vogël, Mirdianin, që më vonë do të diplomohej në Tiranë si inxhinier ndërtimi dhe, pas tre vitesh pune në Tiranë e Durrës, tani punon në Londër në profesion. Do të shkoja te tuneli dhe ditën e hapjes së tij, bashkë me Zef Ndrekën,

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania