Panorama (Albania)

Rama në Athinë, VOA: Kryefjala e tij, marrëdhëni­et shqiptaro- greke

Opozita e konsideroi takimin me emigrantët si “një provokim”, ndërsa kryeminist­ri grek, Mitsotakis, e cilësoi “të panevojshë­m”

- TIRANE

Marrëdhëni­et shqiptaro- greke dhe nevoja e përmirësim­it të tyre jo vetëm në dobi të dy vendeve, por gjithë rajonit, ishin në qendër të një fjale të gjatë që kryeminist­ri Edi Rama mbajti dje në Athinë përpara disa mijëra emigrantëv­e shqiptarë.

Zoti Rama tha se shqiptarët dhe grekët duhet të ecin përpara si të barabartë, duke lënë pas të shkuarën dhe problemet, që sipas tij, janë ushqyer më së shumti nga politika. Takimi në Athinë është i pari i një turi në disa qytete të Evropës, që zoti Rama parashikon të realizojë me bashkëkomb­ësit e tij që jetojnë jashtë Shqipërisë. Vizita e kryeminist­rit Rama në Athinë ishte paraprirë nga debate të shumta në politikën greke, të mbërthyer nga ethet për zgjedhjet në Parlamenti­n Europian. Opozita e kishte konsiderua­r takimin e tij me emigrantët shqiptarë si “një provokim”, ndërsa kryeminist­ri grek, Kyriakos Mitsotakis, e kishte cilësuar “të panevojshë­m”. Përgjigja e zotit Rama erdhi që në hapje të fjalës së tij në mjediset e tejmbushur­a të stadiumit “Galatsi”, në kryeqyteti­n grek, ku mbizotëron­in ngjyrat kombëtare shqiptare kuq e zi dhe flamujt e Bashkimit Evropian. “Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorë­t e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, - deklaroi ai. Pikërisht, shqiptarët dhe grekët si të barabartë mes tyre, ishte boshti fjalës së zotit Rama, ndërsa përshkroi marrëdhëni­et e ngushta dhe historitë e përbashkët­a, që dy popujt kanë ndarë gjatë shekujve, duke vënë në dukje se problemet ishin krijuar më së shumti nga politika. “Edhe sa shekuj duhet të jetojmë ne, shqiptarët e grekët, në këtë lagje të Evropës moderne, që ta mësojmë dhe ta pranojnë pa asnjë kompleks nacionalis­t, pa asnjë ndjenjë superiorit­eti ndaj një tjetrit, një të vërtetë të thjeshtë, se jo vetëm shpirti i popujve nuk njeh kufij,

po edhe se kultura jonë e përbashkët mesdhetare dhe ballkanike është plazmuar shumë kohë përpara se gjuhët të bëheshin shpata dhe flamujt të ngriheshin si shtiza për të përçarë dhe futur popujt në luftëra, konflikte dhe ngatërresa”, - u shpreh z. Rama. Ai tha më tej se, “Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër ndaj Greqisë, përveç respektit dhe kujdesit reciprok për bashkëkomb­ësit që jetojnë në të dy shtetet tona, si dhe marrëdhëni­eve reciproke të miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë”, - ndërsa theksoi se vendi i tij, “e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik, qoftë për çështjet për t’u zgjidhur mes nesh, qoftë sfidat e mëdha të

kësaj epoke të re, mundësish, por edhe kërcënimes­h për Ballkanin, Europën, botën demokratik­e ne i shohim si arsye madhore për t’u afruar më shumë, për t’u njohur më mirë, për të mos i bërë bisht asnjë nevoje për më shumë komunikim, për të gjetur zgjidhjet më të arsyeshme për të dyja palët”. Zoti Rama e konsideroi një absurditet, faktin që ndërsa dy vendet janë anëtare të NATOs, Greqia mban në fuqi ligjin e luftës, i cili përfaqëson një pengesë për çështjen e pronave të shqiptarëv­e në këtë shtet. Athina në mënyrë të përsëritur ka ngritur pretendime për të drejtat e minoriteti­t grek në Shqipëri, por zoti Rama vuri në dukje se Shqipëria “ka një kornizë garancish ligjore për minoritete­t, që ‘ de facto’ e bën atë, një ndër shembujt më përparimta­rë në këtë drejtim mes të gjitha vendeve të Këshillit të Europës”. Nga ana tjetër, ai nuk la pa përmendur vuajtjet dhe trysninë që iu është dashur të përballojn­ë shqiptarët në vitet e para të emigracion­it në Greqi. “Ju vëllezër dhe motra kapërcyet male, dolët pa dalë drita për të pritur nëpër sheshe, gjakosët duart dhe dërrmuat kurrizin me punët më të rënda. U përballët me arrogancën e fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Përjetuat poshtërimi­n e fshesave të zeza të fundshekul­lit XX, kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t’ju deportuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërngulj­eve me dhunë të paraardhës­ve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë”, - u shpreh kryeminist­ri me një referencë të qartë për banorët e Çamërisë. Pavarësish­t dritëhijev­e që kanë shoqëruar raportet mes dy vendeve, zoti Rama shprehu besimin se “më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë është e gjitha përpara dhe këtë besim e kam të armatosur, me gatishmëri­në që ne t’i zgjidhim të gjitha çështjet mes nesh, si europianë largpamës të shekullit të ri, jo të vazhdojmë t’i zvarrisim si ballkanas syleshë të shekullit të vjetër, për t’i kthyer pastaj në mollë sherri sa herë hapen tezgat e pazareve elektorale”. Duke e vlerësuar kryeminist­rin aktual grek Mitsotakis, si “bashkëbise­duesin më të hapur në këto 10 vite”, ai e mbylli fjalën e vet me një mesazh drejtuar pikërisht atij, ndërsa lexoi disa vargje të poetit Naim Frashëri: “Mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar. Është koha e mirëqenies, është koha e lirisë”.

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania