Dashnor Sula kundër “Amnistisë”: Duhet mbledhur urgjent Komisioni i Ligjeve
Deputeti Dashnor Sula në nisje të seancës plenare u deklarua kundër futjes në rendin e ditës të projektligjit “Për amnistinë”. Sipas tij, ky ligj nuk mund të kalojë në votim pa u kaluar më parë në Komisionin e Ligjeve. “Në thelb jam kundër. Nuk bëhet fjalë për një akt dosido, por për një projektligj të rëndësishëm. Në seancën e sotme deputetët nuk kanë njoftim, Komisioni i Ligjeve që është përgjegjës, ne nuk na është dhënë mundësi për të dhënë amendamente. Pavarësisht amnistisë, e keni kaluar në mënyrë të njëanshme me votat e mazhorancës. Dakordësia nen për nen ka shumë për të diskutuar dhe do të ishte korrekte që Komisioni i Ligjeve të mblidhej. Kërkoj që urgjentisht Komisioni i Ligjeve të mblidhet ose të shtyhet me 1 javë amnistia”, - theksoi Sula. Edhe Enkelejd Alibeaj nga foltorja e Parlamentit në seancën e djeshme akuzoi PS- në dhe “Rithemelimin” për pazar, që prek edhe ligjin e amnistisë, që sipas tij, në të ndodhen të paktën 3 amendamente, që godasin SPAK dhe drejtësinë e re. “Kjo pamje sot kur të gjithë heshtin dhe bëhen gati të miratojnë një akt që ka brenda amoralitetin më të madh politik. Fundi i mandatit është i tillë, sfidë a do jenë më në këtë foltore. Si e si të ruajnë karrigen e tyre. E para, dështuat Reformën Zgjedhore. E dyta, gjasme komisionet hetimore dhe e treta është kjo sot. Do të jepet vota për t’u ulur dënimin 1 vit e gjysmë burrave dhe 3 vite grave që janë dënuar nga drejtësia e re. Testi i parë i hidhur ri kësaj marrëveshjeje. Detyrimi juaj, zonjë, më së pari është të bëni transparencë, ta ktheni edhe një herë tek Komisioni i Ligjeve, që edhe publiku ta kuptojë se çfarë gatuhet në këtë seancë. Votë për amnisti nga SPAK- u. Shqiptarët duhet ta kuptojnë që nesër t’ju ndëshkojnë me votë. Ta ktheni në komision ta diskutojmë të bëjmë transparencë dhe të shohim interesat individuale. Janë 3 amendamente që godasin drejtpërdrejt SPAKun”, - tha Alibeaj.