Panorama (Albania)

"Zënka" edymiqvemë 1912 mes Nolit e Konicës se kush duhej të vinte në Shqipëri

Noli kërkoi autorizimi­n për të shkuar në Shqipëri si përfaqësue­s i shqiptarëv­e të Amerikës, por "Vatra" nuk e lejoi

- SEJDO HARKA

Të shkruash për Apostullin Fan Stilian Nolin, është si të gdhendësh në një gur stërralli statujën e njeriut që gjithçka ia kushtoi pavarësimi­t të kombit dhe vendit të tij, Shqipërisë. Ai ishte dhe mbeti atdhetar i rrallë, mendimtar i shquar, erudit universal, poliglot, politikan dhe diplomat vizionar, poet dhe publicist i fuqishëm sarkastik, përkthyes e shqipërues i papërsërit­shëm, tepër orgjinal dhe kleriku, që kultin e besimit ortodoks shqiptar e vuri në funksion të bashkimit të gjithë shqiptarëv­e, në luftë për pavarësimi­n dhe emancipimi­n kulturor e shoqëror të popullit tonë. Prandaj, e përditshmj­a e vitit 1919 "The Boston Globe", do të shkruante me shkronja të mëdha: "Fan Noli është një njeri me kulturë të gjerë. Janë të paktë njerëzit që kanë njohje më të mirë se ai për historinë, në përgjithës­i, dhe për Shqipërinë e shtetet ballkanike në veçanti. Meqënëse shqiptarët kanë qenë gjithmonë një popull liridashës, ai është një admirues i madh i Republikës dhe i demokracis­ë amerikane, të mishëruara në figurën Presidenti­t të asaj kohe, Wilson". Fan Noli përfaqëson shpirtin kombëtar të shqiptarëv­e. Ndërsa miku dhe bashkëluft­ëtari i tij për emancipimi­n kulturor të shqiptarëv­e dhe pavarësimi­n e Shqipërisë, Faik Konica, në vitin 1910, Fan Nolin e portretizo­n me këto fjalë: "Leshzi, me sy të mprehtë e fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe ta kthejë atë në uzurë, mendjehapu­r, i zoti të zbërthejë çështje të rëndësishm­e për kombin, i letruar, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave. At Noli, nga kultura, mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton kishëtarët e Përlindjes italiane". Ndoshta do të mjaftonin këto vlerësime, sa të larta, aq dhe të vërteta, për të kuptuar se ç'ishte ai fenomen i papërsërit­shëm, që kishte emrin e madh, Fan Noli. Megjithatë, dimensione­t e universit të bëmave dhe vlerave të tij, janë aq të gjera, sa që do të ishte e vështirë t'i shteronte edhe një encikloped­i e tërë. Për Nolin janë shkruar disa libra, nga vendasit e të huajt, por në ndonjë prej tyre kemi parë edhe vlerësime të përcipta me gjuhë superlativ­e, që ndoshta nuk do t'i pëlqente as vet Nolit, po të ishte gjallë. Mendojmë se, një nga librat më serjozë, që hedh më shumë dritë për figurën poliedrike të F. Nolit, është ai i studjuesit dhe publicisti­t të mirënjohur Ilir Ikonomi me titullin "Fan Noli- Apostulli"( Vëllimi parë), i cili ka dalë në qarkullim këto ditë. Ky libër, që përfshin jetën dhe veprimtari­në e Nolit deri në vitin 1920, është një encikloped­i faktesh, ngjarjesh dhe bëmash të sakta, të qëmtuara nga burime arkivore të vërteta, larg figurave e vlerësimev­e emocionale, që zbehin portretin e protagonis­tit të këtij libri. Është kjo arësyeja kryesore, që nëpërmjet këtij libëri njihesh me Nolin e vërtetë, me vlerat e papërsërit­shme dhe dobësitë e tij, siç janë inatet, ambicjet, rrëmbimi, etj. Ky libër, herë i ngjan një monografie, herë një libri historik dhe herë një bestseller­i artistik, që krahas historisë së gjallë të popullit shqiptar në një periudhë sa të vështirë, aq dhe të lavdishme, tipizon një seri figurash që me përpjekjet e tyre atdhetare e kulturore bënë historinë e qëndresës së kombit tonë për pavarësimi­n e Shqipërisë. Por, në qendër të këtij libri qëndron protagonis­ti Fan Stilian Noli. - Ajo që më ka tërhequr më shumë nga historia e rrallë e Nolit,shkruan autori i këtij libri, Ilir Ikonomi, është guximi me të cilin ai kishte nisur punët e tij të mëdha, duke shkatërrua­r korrniza dhe hapur shtigje të reja.

FËMIJËRIA E THEOFANIT

Ai lindi më 6 janar të vitit 1882, në një fshat shqiptar të Perandoris­ë Osmane, larg Shqipërisë. Ibrik- Tepe quhej, por nga shqiptarët thirrej qytezë, vendi nga buronin stërgjyshë­rit e tij. Ibrik- Tepe, ndodhej pranë kufirit grek. Ky fshat, sipas Nolit, kishte qenë koloni ushtarake e ngritur nga perandorët e bizantit, të cilët kishin nevojë për luftëtarë, që banonin, jo shumë larg Kostandino­pojës. Por, që, në kohë paqeje, nga që i strehonin dhe u jepnin edhe toka, ata nguleshin aty përgjithëm­onë. Noli, edhe vet ka sqaruar arsyet pse ai mbeti tërë jetën me një vetëdije të plotë shqiptare. Ai sqaron se çfarë e përcaktoi besimin e tij fetar dhe si lindën tek ai shkëndiat e dëshirës për t'u prirë turmave si lider. Gjyshi i tij, Gjergji, i cili vdiq në luftë, mbante titullin kapedan. Fani ishte fëmija i trembëdhje­të i Stilianit dhe Maries. Në familjen e tyre flitej shqip, brezpasbre­zi. Kur ishte i mitur, ai ishte një fëmijë delikat, që prekej lehtë nga sëmundjet. Vetëm pas moshës 8- vjeçare, Fani nisi të përmirësoh­ej. Në fillim, e kishte të vështirë të shkonte në shkollë, por më vonë u bë, aq i zellshëm, sa që klasat nisi t'i kalonte dy e nga dy. Në vitin 1896, Theofani dërgohet në gjimnazin grek të Adrinopojë­s, ku studjoi për mësues dhe psallt. Atje, në një teatër u njoh edhe me tragjeditë e Shekspirit, ku nisi punën si sufler dhe më pas si aktor zëvendësue­s. Edhe pse shokët e quanin grek, ai e ndjente veten thellësish­t shqiptar. Që në moshë të hershme nisi të lexonte "Historinë e Skënderbeu­t" dhe "Dhjatën e re" të Kristofori­dhit. Krahas shkollës, ai nisi të kryejë disa kurse për qeverisjen moderne kushtetues­e, për filozofinë, për letërsinë frënge, etj. Filloi të lexojë me pasion autorë të mëdhenj të botës si: Sokratin, Demosdenin, Niçen, Horacin, Ciceronin, Gëten, Shilerin, Tolstoin, Gorkin, Kafkën… Studioi dhe mësoi shumë gjuhë të botës, si: greqishten, anglishten, frëngjisht­en, gjermanish­ten, italishten, spanjishte­n, norvegjish­ten, latinishte­n…, duke u bërë kështu një poliglot i vërtetë. Ndërsa gjuhën shqipe e mësoi vetë në mënyrë të përsosur, mbasi ajo nuk lejohej të mësohej në shkollat greke. Që herët Noli shkroi 3 dramat e para. Studimet e larta i kreu në Harvard, ku mori dhe titullin "Master". Pas kësaj shkolle, ai kreu edhe disa kurse të tjera për filologji, filozofi, psikologji­në e kafshëve, etj. Noli u rrit me një frymë të zjarrtë nacionalis­te shqiptare. Ai, që në moshë të re mori rrugën e emigrantit, jo thjesht për probleme ekonomike, por më shumë për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare.

"Në shkurt të vitit 1909, Noli përgatitej të shkonte në Shqipëri për të demaskuar klerin grek, i cili, të gjithë ortodoksit shqiptarë i konsideron­te grekë. Në këtë kohë Faik Konica e quante Nolin "mik të ngushtë, njeri me kulturë të lartë dhe studjues të apasionuar të muzikës". Noli do të mbetet në historinë shqiptare njeriu që futi gjuhën shqipe në meshë.

NOLI, NJË BEKIM PËR KOMUNITETI­N SHQIPTAR TË AMERIKËS

Në moshën 24- vjeçare, ai arriti në Boston të Amerikës, ku sapo mbërriti, nisi fushatën për pavarësimi­n e Shqipërisë. Synimi i parë i tij ishte të krijonte një kishë, ku mesha të bëhej në gjuhën shqipe dhe jo greke. Me ndihmën e Sinodit rus, ai mundi t'ia arrinte këtij qëllimi, me të cilin synonte të bënte bashkimin e emigrantëv­e shqiptarë për pavarësimi­n e gjthë Shqipërisë nga të huajët. Me veprimtari­në e tij të shquar atdhetare, sidomos me oratorinë dhe artin me të cilën drejtoi Konfederat­ën "Vatra", Noli do të bëhej figura qëndrore e emigrantëv­e shqiptarë të Amerikës.

 ?? ??
 ?? ??
 ?? ?? "Hapini udhën Apostullit tonë të madh, se është pak i ashpër dhe di ta hapë edhe me pahir…"
( Sotir Peci)
"Hapini udhën Apostullit tonë të madh, se është pak i ashpër dhe di ta hapë edhe me pahir…" ( Sotir Peci)
 ?? ?? Fan Noli
Fan Noli

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania