Akuzat për Olsi Ramën, Bardhi kërkesë për interpelancë urgjente me Edi Ramën
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi bëri një kërkesë për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, për përfshirjen e vëllait të tij, Olsi Rama në laboratorin e drogës në Xibrakë. Interpelanca urgjente kërkohet të mbahet në seancën plenare të 4 prillit, ndërsa Rama duhet të japë shpjegime për 3 çështje, derisa SPAK të bëjë detyrën e vet kushtetuese, pa ndikim dhe me profesionalizëm. Përmes një kërkese drejtuar Kuvendit, Kryetari i Grupit Gazment Bardhi ka thirrur në një interpelancë urgjente Kryeministrin Edi Rama, në seancën e datës 4 Prill 2024. Derisa SPAK të bëjë detyrën e vet kushtetuese, pa ndikim dhe me profesionalizëm, duke nisur hetimet dhe duke rihapur dosjen e pezulluar nr. 335/ 1- 2016, Bardhi kërkon që kryeministri Edi Rama të jap shpjegime në Kuvend për 3 çështje: “1- A ka pasur informacione nga shërbimet informative apo strukturat e Policisë së Shtetit, për shoqërimin e një familjari të tij me anëtarët e një organizate të strukturuar kriminale, apo për përfshirjen e vëllait të tij në këtë veprimtari kriminale? Nëse po, çfarë masash janë marrë. Nëse jo, a ka kryer verifikime dhe a ka kërkuar informacion, pas të dhënave të bërë publike edhe më parë? 2- A ka kërkuar dhe marrë informacion pse i vëllai, person me lidhje të forta politike, është përdorues i të njëjtit automjet me targë AA653DM, që në kohen e planifikimit dhe aktivitetit kriminal të Laboratorit të drogës në Xibrakë, përdoret nga Olsi Rama dhe 3 anëtarët e tjerë të organizatës kriminale? 3- Çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko- organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain tuaj Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë? Çfarë bën i vëllai me të njëjtën makinë, të cilën e përdor në të njëjtën kohë një organizatë kriminale e trafikut të drogës? “, - thuhet në kërkesën e PD.