Interi priti, Atletiko e shastisi me Grizmanin
Interi u largua nga "ferri" Metropolitano i thyer dhe i rrënuar, pas 120 minutash vuajtje dhe rezistence që nuk mjaftuan në lotarinë e 11metërshave.
Atletiko me grintë- Atletiko ishte në një formë psikofizike të shkëlqyer. Thuajse nuk gabon asgjë në 120 minuta lojë. Sulmon atëherë kur duhet të sulmojë dhe zbret në mbrojtje kur duhet të mbrojë. Çelësi i fitores madrilene ishte në duelet e mesfushës dhe në pozicionin hibrid të Grizmanit. Të besuarit e Simeones u vendosën në skemë pasqyrë me Interin dhe 3 lojtarët e mesfushës, De Pol, Koke dhe Jorente i shkatërruan mirë aksionet e Barelës, Çalhanoglusë dhe Mkitarianit. Niseshin me shumë vendosmëri dhe kërkonin gjithmonë pasimet në krahët me Linon dhe Molinën që luajnë shumë lart dhe vënë në vështirësi lojtarët e krahut të Interit. Kjo gjë bëri që Dumfris dhe Dimarko t'i prisnin shumë poshtë. Kjo gjë ndihmonte mesfushorët dhe mbrojtësit e Atletikos që të zbrisnin deri në mesfushën e Interit për të mos lejuar kundërsulmet, sidomos në pjesën e parë. Nëse loja zhvendosej nga e majta, e djathta apo në qendër e vendoste Grizman, lojtar i madh që qarkullon topin me kualitet dhe duke tërhequr mbrojtësit e Interit për të krijuar mundësi depërtimi për lojtarët e mesfushës. Kualiteti i francezit bëri që Atletiko të mos jepte asnjë pikë referimi për mbrojtjen e Interit dhe çon në kolaps si De Vrajin dhe Pavarin që kërkojnë ta ndjekin. Të vetmin lojtar që ia dolën ta markojnë ishte Morata, i cili është më statik dhe u kërkua me krosime. Kjo do të thotë se me aktivizimin e Depajit dhe Rikelmes në pjesën e dytë u bë më e rrezikshme, me lojtarë që kanë kualitet në këmbë, driblime dhe shpejtësi.
Interi u mbrojt- Interi provoi që t'i përgjigjej Atletikos me kompaktësi në 25 metrat e fundit dhe kundërsulme, por skuadra qëndron shumë poshtë në fushë. Për një kohë të madhe të lojës zikaltrit gabojnë edhe teknikisht, kjo falë agresivitetit të kundërshtarit. Në disa momente, skuadra e Inzagit ia doli që ta ulte ritmin e ndeshjes për të qarkulluar topin me mbrojtësit në mënyrë që të gjente hapësira për sulmuesit dhe mesfushorët. Por Atletiko bllokonte gjithmonë linjat e pasimit për Barelën dhe Mkitarianin. Edhe kur Çalhanoglu zbriste në linjën mbrojtëse për të nxjerrë topin ishte i ngathët dhe nuk i jepte shpejtësi skuadrës. Kur Interi gjente me shpejtësi Turamin, atëherë kishte rrezik nga krahët sepse ai e çonte topin te mesfushorët dhe niseshin në kundërsulm. Edhe në momentin kur Lautaro merrte topin dhe duronte shqelmat dhe markimin e rreptë të Vitselit bëhej i rrezikshëm, por ishte larg portës kundërshtare. Interi e priti shumë Atletikon. Aktivizimet e Bisek dhe Sançez sjellin pak besim dhe krijimtari në lojë. Gjermani luan si veteran, me autoritet dhe kërkon të dalë me topin në këmbë me lëvizje vertikale. Sançez me pozicionin e tij mes sulmit dhe mesfushës ia del të krijojë probleme. Por Interi ishte shumë i ndrojtur. Pas 120 minutash vuajtje, fundi i hidhur ishte thjesht çështje kohe. Ndodhi te penalltitë.