Begaj në “Global Baku Forum”, takon homologun azer dhe kryeministrin Asadov
Presidenti Bajram Begaj po zhvillon një vizitë pune në Azerbajxhan. Gjatë kësaj vizite Presidenti Begaj mori pjesë në “Global Baku Forum”, një takim i përvitshëm që mbledh udhëheqës dhe personalitete nga e gjithë bota, presidentë, kryeministra, ekspertë të fushave të ndryshme dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare. “Fixing the Fractured World” ishte tema e “Global Baku Forum XI” për këtë vit, në të cilin Presidenti Begaj mbajti një fjalë të posaçme, ku theksoi domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit mes shteteve dhe qeverive për të përballuar me sukses sfidat aktuale. Në lidhje me rolin e Shqipërisë në rajon, Kreu i Shtetit rikonformoi orientimin euroatlantik dhe qëndrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve si faktor kyç për paqen dhe stabilitetin e rajonit. “Në këndvështrimin e Shqipërisë, si një aleate e palëkundur në NATO dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, pasojat e këtij konflikti dhe roli ynë në arkitekturën mbarë evropiane të sigurisë janë thelbësore. Shqipëria, e gjendur në udhëkryqin e interesave të mëdha gjeopolitike, është mëse e vetëdijshme për rëndësinë e stabilitetit dhe bashkëpunimit. Rrugëtimi ynë drejt anëtarësimit në BE nuk është vetëm një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj vlerave demokratike, reformave ekonomike dhe shtetit të së drejtës, por, gjithashtu një tregues i qartë i përkushtimit tonë për të kontribuar në mënyrë sa më të efektshme për sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit evropian”, - tha ai. Presidenti Begaj zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun Ilham Aliyev, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve, perspektivat, si dhe përforcimin e bashkëpunimit ekonomik me fokus tek energjia dhe turizmi. Gjatë takimit me Presidentin e Azerbajxhanit, Aliyev, u vlerësuan zhvillimet pozitive mes dy vendeve ( heqja e vizave për shtetasit e dy vendeve dhe krijimi i Komitetit të Përbashkët Shqipëri- Azerbajxhan në ekonomi, teknologji dhe industri).