Berisha: Berberi, në pranga që të fshehë miliardat e vjedhura
Teliti: Kreu i ARRSH mund të ketë bashkëpunuar me zyrtarë edhe më të lartë të qeverisë. Shehu: Banditizmi shtetëror po rritet
Ish- kryeministri Sali Berisha e sheh arrestimin e kreut të ARRSH- së, Evis Berberi, si një mbulim i parave të vjedhura nga kryeministri Edi Rama.
Sipas tij, vënia në pranga e Berberit është bërë “për të fshehur miliardat e vjedhura në rrugë nga Edi Rama, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri dhe suita e tyre”. Gjatë fjalës së tij para protestuesve të mbledhur poshtë banesës së tij, Berisha tha se Berberi kishte blerë një kompani dhe e shiti 1 milion e 700 mijë euro dhe e bleu prapë, gjë të cilën ai e cilësoi vepër penale. “Sot u njoftua se Berberi kishte blerë një kompani kaq dhe e shiti 1 milion e 700 mijë euro, e bleu prapë, etj.. Të gjitha pa diskutim, vepër penale. Por kjo vepër panele është identike me akuzën që i bëjnë Beqjas për restorantin”. Ndër të tjera ai tha se këto janë akte makabër, tallje, përçmime dhe poshtërime për shqiptarët. “Berberi arrestohet për një vjedhje të sigurt prej 1.7 milionë. Por, ata që kanë vjedhur 80- 90 për qind të fondit prej rreth 9 miliardë euro të shpenzuara në rrugë dhe sheshe, ata janë me jahte, me konto bankare, Edi Rama, Belinda Balluku etj. me radhë”, - theksoi Berisha. Më herët edhe PD- ja e drejtuar prej tij përmes zëdhënëses Floriana Garo denoncoi dje se arrestimi i Evis Berberit, ish- drejtorit të Autoritetit të Rrugëve, është përpjekja për të mbajtur gjallë iluzionin se drejtësia po e godet qeverinë dhe se është e pavarur nga kontrolli i saj. “Arrestimi i Berberit për korrupsion pasiv nga SPAK bëhet në fakt për të mbuluar ata që bëjnë korrupsion aktiv: Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, që shtrojnë ‘ rrugë të arta’, mbi 20 milionë euro kilometrin dhe që e kanë kthyer qeverinë në lozhë të korruptimit dhe të përdorjes të çdo zyrtari dhe më pas, flakjes së tyre”, - shprehet Garo. Sipas saj, ajo që Shqipërisë i duhet është prerja e kokës e sistemit që e ka kthyer korrupsionin në ligj të pashkruar, jo një ligj që pret disa krerë për të shpëtuar ata në krye. “PD e rithekson qëndrimin se shfaqja teatrale e antikorrupsionit nuk mund të mbulojë gangrenën e vërtetë të korrupsionit. Se Shqipëria nuk shpëton pa larguar një herë e mirë ata që shtetin e shohin si mjet pasurimi dhe përjetësimi në pushtet. Me këtë qëllim ata vjedhin rrugët, për të grabitur zgjedhjet, vrasin shpresën për të nxitur shpopullimin. Shqipëria shpëton vetëm me politika të qarta dhe të ndershme, ku përgjegjësinë e merr ai që është në krye. Për këtë duhet një qeveri teknike, që heq dorën e Edi
Ramës nga xhepi juaj dhe nga kutitë e votimit, që mundëson zgjedhje të lira dhe që e kthen Shqipërinë në normalitet”, - tha Garo. Edhe deputeti Tritan Shehu reagoi dje në lidhje me arrestimin e kreut të ARRSH, Evis Berberi. Në një postim në rrjetet sociale Shehu tha se kjo është një simptomë e qartë e banditizmit shtetëror që po rritet me hapa galoponte. “Shteti ka rënë në dorë të atyre, që valëvitin disa ‘ paçavure’ të blera apo të falsifikuara si diploma. Në një sens të vendosur në ato detyra si banditë ‘ kamikazë’! Një rast ky i përsëritur e i përsëritur, duke filluar nga nivelet më të larta! Një simptomë e qartë kjo e “banditizimit shtetëror me rritje galopante”! Një fenomen ky që në vend që të shkonte drejt minimizimit, sot ka marrë dimensione katastrofale, dimensione që të bëjnë disa herë pesimist për përballjen. Sepse shteti ka rënë në dorë të atyre, që valëvitin disa ‘ paçavure’ të blera apo të falsifikuara si diploma. Pa asnjë jetëshkrim, dinjitet, pa asnjë produktivitet për shoqërinë më parë”, - shkruan ai. Kurse eksperti i ekonomisë në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, komentoi arrestimin e ish- kreut të ARRSH- së, Evis Berberi. Teliti theksoi se Berberi mund të ketë bashkëpunuar me zyrtarë akoma më të lartë në qeveri. Teliti theksoi se qeveria e Edi Ramës e ka kthyer korrupsionin dhe aferat në normalitet, duke degraduar situatën në vend. “Prej vitesh kemi dëgjuar afera të mëdha korruptive. Këto janë afera korruptive mes miqsh, që i japin tendera njëri- tjetrit. Nëse zbatohen ligjet dhe aktet normative, nuk ndodhin të tilla fenomene. Berberi mund të ketë bashkëpunuar me zyrtarët më të lartë të qeverisë. Kjo sepse drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve është njeri afër qeverisë. Rrugë mund të bëhet ky lloj korrupsioni, vetëm kur ta lejojnë krerët e qeverisjes. Rrugët tona kushtojnë aq shumë, sa janë shifra marramendëse, nuk janë aspak normale. Kjo qeveri ka bërë rrugë me shpenzime marramendëse. Këtu flitet për “magji”, që me 800 euro bën më tepër se 1 milion euro. Kambanat e alarmit kanë vite që janë ngritur”, - u shpreh Teliti.