Konsensusi, Berisha- Ramës: S’do i shpëtosh hetimit parlamentar
“Do bëjmë çdo gjë për të drejtat tona kushtetuese” Ish- kryeministri: Opozita nuk e braktis kurrë Parlamentin
Ish- kryeministri Sali Berisha para mbështetësve të tij në protestën poshtë pallatit paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se nuk do të mund t’i shpëtojë dot hetimit parlamentar. Berisha i drejtohet kryeministrit duke i thënë se opozita nuk e braktis kurrë Parlamentin, por do të bëjë çdo gjë për të drejtat e saj kushtetuese në Parlament dhe kudo. “Këto ditë në Parlament është bërë dialog në mënyrë që të drejtat e opozitës të respektohen. Dua të sqaroj ju dhe çdo shqiptar se nuk është opozita, ajo që ka shkelur të drejtat kushtetuese, as të vetat, as të kujt tjetër. Është Edi Rama, i cili nuk pranon të respektojë të drejtat kushtetuese. Në këto rrethana, ai ka vetëm një qëllim dhe ky qëllim është që opozita të bojkotojë Parlamentin. Sepse, duhet të jemi realistë, në mënyrë makabër, ai fitoi më shumë se kushdo tjetër nga bojkoti i Parlamentit nga opozita. Mirëpo unë i them sot Edi Ramës këtu para jush dhe në emër tuaj se opozita nuk braktis parlamentin, por opozita do bëjë çdo gjë për të drejtat e saj kushtetuese në parlament dhe kudo. Prandaj dhe Edi Rama, ti ke frikë dhe tmerr nga komisionet hetimore. Nuk ka forcë në botë që të shpëton prej tyre. Le të vijë kushdo në mbrojtje tënde, ti do përfundosh para atyre komisioneve sepse ke vjedhur këtë komb, këtë vend sa askush tjetër në histori”, - tha Berisha. Sipas tij, Rama e ka të qartë se pushteti i tij do të marrë fund. “Edi Rama e ka më të qartë se kushdo tjetër se ai nuk ka një koleg të dytë në Europë, që të ketë kryer krimet e tij. Se ai nuk ka një koleg të dytë në Europë që të ketë firmosur vjedhjet e tij. Se nuk ka një koleg të dytë në Europë që të ketë mashtruar qytetarët e tij. Dhe nuk ka një të dytë në Europë, përveç Lukashenkos që të bllokojë rotacionin duke vjedhur votën. Të qëndrojë në pushtet me forcën e krimit, të korrupsionit, të blerjes së votës, të policisë politike elektorale”, - tha Berisha.