Hapet gara për krijimin e logos së 80- vjetorit të Çlirimit
Shqipëria kremton këtë vit 80- vjetorin e Çlirimit, një ngjarje e shënuar për mbarë vendin, njëkohësisht ditë kujtese e sakrificës sublime të mijëra të rinjve e të rejave që ranë heroikisht në emër të lirisë. Me këtë rast, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit fton të rinjtë, qytetarët shqiptarë që kanë ide krijuese, të japin kontributin e tyre artistik në krijimin e logos kombëtare, e cila do të jetë simbolikë përfaqësuese dhe do të shoqërojë evenimentet zyrtare dhe shkresat protokollare të institucioneve qendrore shtetërore si pjesë identifikuese e festimeve. Logoja duhet të jetë pasqyrimi i një konfiguracioni simbolik, si një krijim origjinal në përmbajtje dhe në formë. Ky kontribut artistik do të mundësohet përmes një konkursi që do të zhvillohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit së Republikës së Shqipërisë, ku mund të marrin pjesë studentë, artistë dhe krijues në fushën e arteve pamore, me punime origjinale, të papublikuara më parë, të cilat mund të jenë punime individuale ose punime të realizuara në grup. Punimi i logos së 80- vjetorit të Çlirimit duhet të jetë shprehje artistike figurative, ose grafike. Për të aplikuar, të interesuarit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentacionin tek zyra e Protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe elektronikisht në adresën kultura@ meki. gov. al deri në datën 22 mars 2024. Vlerësimi artistik i çmimit fitues është 300.000 lekë, ku përfshihet dhe taksa e aplikueshme sipas legjislacionit në fuqi.