Koncesioni për “Butrintin”, qeveria përplaset me studiuesit Auron Tare: UNESCO e hodhi poshtë, çfarë masash do të merr en?
Dhënia me koncesion e Parkut të Butritit ose siç preferohet të cilësohet nga qeveria si “menaxhim i ri” i tij e ka vënë përballë këtë të fundit me ekspertët e fushës që janë katërcipërisht kundër. Përpara se të bëhet fakt i kryer, ata ngrenë disa pikëpyetje që kanë të bëjnë me raportin e UNESCO- s dhe nëse do të ndërmerren masa për ata që e fshehën raportin prej kohësh. Aktualisht, çështja e menaxhimit të Parkut të Butrintit është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila në një gjest të pazakontë, ditë më parë, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO- s.
MINISTRI
Pas më shumë se një javë pas publikimit të raportit të UNCESCO- s mbi parkun kombëtar të Butrintit, ka ardhur reagimi i ministrit të Ekonomisë dhe Kulturës, Blendi Gonxhe, i cili thotë se do të ketë në vëmendje maksimale mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të kësaj pasurie. “Në cilësinë e ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit ( për shkak të funksionit), siguroj opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi. Unë dhe ekipi vlerësojmë gjithashtu rolin e AADF në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e BMF për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë, dhe të domosdoshme për suksesin e kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme ku shteti shqiptar është lider, në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja”. UNESCO rekomandon që Ministria e Kulturës të ketë autoritet mbi të gjithë këtë pasuri botërore, duke theksuar se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimin e integruar të këtij parku.
STUDIUESI
Në një replikë në distancë, eksperti i kulturës, Auron Tare, ka zgjedhur t’i përgjigjet mninistrit në reagimin e tij në rrjete sociale përmes të cilit kërkon që zëri i tij të dëgjohet duke mos përtuar ta cilësojë marrëveshjen për Butrintin “poshtëuese”. “I nderuar z. Ministër, e para keni detyrimin ligjor dhe moral për të sqaruar opinionin publik per raportin e
Unesco/ Icomos. Çfarë përmban dhe përse u fsheh nga Institucioni i Trashëgimisë Kombëtare. Çfarë masash do merren për ata që fshehën këtë raport? E dyta, z. Ministër, cila është ekspertiza më e mirë botërore që AADF paska thithur? Kur Unesco/ Icomos të ka hedhur poshtë cilësinë e përthithur. E treta, mblidh ekspertët shqiptarë për të folur me ta dhe për të dëgjuar procesin ashtu si dikur kur ishe në Ministrinë e Kulturës. E katërta, hidh poshtë Marrëveshjen me AADF për transferimin e Butrintit si një Marrëveshje poshtëruese për punën e të gjithë atyre që kanë kontribuar në Butrint, por edhe si një e drejtë sovrane e një vendi, i cili nuk jep apo shet pasurinë e saj kulturore për grupe me interesa te dyshimta. Ti e di mirë që Parku nuk u krijua nga nga shqiptarët që e donin këtë vend ku një ndër ta ishe edhe ti”.
Sakaq, në një intervistë për “News 24”, Tare vë në dukje arsyen e mbajtjes së fshehtë, sipas tij, për faktin se ishte kritik dhe se dhënia e tij me koncesion mund të bëhet precedentë për dhënien në administrim edhe të Pompeit dhe Akropolit. “Raporti i UNESCO- s është dorëzuar te Ministria e Kulturës, e cila ka refuzuar ta sjellë në GJK, duke deklaruar se nuk ekziston. U detyrua drejtori i UNESCO- s që të bëjë me dije se raporti është dorëzuar, por pala shqiptare ka kërkuar që një gjë e tillë të mos bëhet publike. Kjo tregon që raporti është kritik. I dyti raport që kritikon punën e ADF- së.
Mënyra se si është konceptuar administrimi i Butrintit nuk është në përputhje me konventat sipas raportit. U është hapur rrugë ndërtimeve. Në emër të transparencës duhet ditur pse raporti është mbajtur i fshehtë gjatë kësaj kohe. Ajo që po ndodh në Butrint hap një procedent për një qendër të pasurisë botërore. Atëherë i bie që Pompei dhe Akropoli t’u jepen privatëve pastaj”, sqaron Tare.