Ministri Hasani me homologun turk: Shkëmbimet tregtare të kalojnë shifrën 1 miliard euro
“Një fatkeqësi e madhe po ndodh”, Fidan për konfliktin IzraelPalestinë: Ndërkombëtarët të marrin masa, po vdesin njerëz nga uria
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, priti dje ministrin e Jashtëm të Turqisë, i cili po zhvillon një tur ballkanik.
Në deklaratën për media, pas takimit mes tyre, ministri Hasani vlerësoi marrëdhëniet e ngushta dhe partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë. “Turqia mike na është gjendur gjithmonë pranë në ditët tona më të vështira. Aktualisht marrëdhëniet mes vendeve tona në cdo fushë janë të shkëlqyera dhe kanë njohur vetëm rritje. Sot ne zhvilluam takimin e dytë të grupit për dialog politik. Ky takim e forcon edhe më tej karakterin strategjik të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Intensifikimi i dialogut politik mes nesh është shoqëruar me rritje kuptimplotë të bashkëpunimit dypalësh”, tha Hasani. Sa u përket shkëmbimeve tregtare, ministri Hasani tha se shifra prej 760 milionë Euro nuk pasqyron potencial real që ekziston mes dy shteteve, dhe theksoi se do të punohet që niveli i shkëmbimeve tregtare dypalëshe të kalojë shifrën e 1 miliard eurove. “Diskutuam për bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe tregtare. Investimet turke arrijnë në rreth 3.7 miliardë Euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompani turke që operojnë në vendin tonë. Konstatuam se niveli i shkëmbimit të vëllimit tregtar në kuotën e gati 760 milionë Eurove nuk pasqyron ndoshta realisht potencialin ekzistues midis dy vendeve, ndonëse klima e të bërit biznes në Shqipëri është tejet e favorfshme. Ne jemi të vendosur që ky tregues të kalojë shifrën 1 miliard Euro”, deklaroi ai. Ministri i Jashtëm tha gjithashtu se presin nga Turqia hyrjen në fuqi të marrëveshjes për njohjen reciproke të patentave.
PARALAJMËRIMI
Ministri për Punët e Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, nga Tirana komentoi konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Në një konferencë të përbashkët me homologun shqiptar, Igli Hasani, Fidan i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë masa pasi shumë palestinezë të marrë robër mund të vdesin nga uria. Ai u shpreh se duhet të lejohet futja e ndihmave humanitare me qëllim që kjo krizë të përfundojë sa më shpejt. Sipas tij përveç shumë civilëve që janë vrarë nga bombardimet dhe plumbat, shumë të tjerë mund të vdesin nga uria. “Një tjetër çështje e rëndësishme është tragjedia njerëzore që po ndodh në Gaza. Ju e dini që në Palestinë me mijëra të pafajshëm janë duke u masakruar. Po përballemi me një nivel tjetër të tragjedisë. Ndërkohë që ka shumë jetë të humbur nga bombardimet, kemi edhe miliona palestinezë që janë marrë robër dhe janë lënë në kushtet e varfërisë dhe urisë. Nuk po jepet leje për hyrjen e ndihmave humanitare. Kjo tregon që një fatkeqësi e madhe po ndodh. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka treguar një reagim në nivelin e duhur. Prandaj këtu dua që ta ftoj opinionin ndërkombëtar të përdore metoda të tjera në mënyrë që të merren masa për 2 milionë personat që janë marrë peng në kushtet e urisë që të marrin masa në mënyrë që kjo të përfundojë sa më shpejt, pasi në të kundërt do jetë vonë. Pra, përveç shumë njerëzve që kanë humbur jetën nga plumbat do të humbasim shumë njerëz për shkak të urisë. Kjo do të jetë një peshë e ndërgjegjes që nuk do ta mbajë dot opinioni ndërkombëtar”, tha ministri turk.
FETO
Ministri turk njoftoi se gjatë takimit me homologun shqiptar disktuan edhe lidhje me pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO- s që kanë mbetur në Shqipër. “Prandaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje dhe diskutuam çfarë hapash mund të hidhen konkretisht për këtë”, deklaroi ai. Në një deklaratë për mediat, ministri Fidan është shprehur se marrëdhëniet ShqipëriTurqi janë shumë të mira, por duhen çuar në një nivel tjetër bashkëpunimi. “Unë si ministër po bëj në vendin tuaj vizitën time të parë në Tiranë. Kam qenë në Shqipëri dhe më para me detyra të ndryshme. Ne kemi bashkëpunim në sektorë të ndryshëm dhe kemi marrëdhënie shumë të mira dhe kemi pasur mundësi për projekte. Me rastin e vizitës time, do të vazhdojmë takimet dhe me kryeministrin. Gjatë takimeve tona, do të diskutojmë marrëdhëniet e mira dhe si mund t’i çojmë ato në një nivel më të lartë, do të kërkojnë fusha më të mëdha bashkëpunimi. Diskutuam në lidhje me pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO- s që kanë mbetur në Shqipëri, prandaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje dhe diskutuam çfarë hapash mund të hidhen konkretisht për këtë. Shumë e rëndësishme miqësia mes 2 vendeve tona. Shqipëria dhe Turqia të lidhura me njëra- tjetrën dhe nga ana historike. Ne jemi të vendosur për të vazhduar më shumë bashkëpunimet në shumë fusha. Ka shumë fusha, ku ne do të vazhdojmë të punojmë, si për shembull marrëveshja që është bërë për njohjen e patentave apo për njohjen e vizave. Marrëdhëniet mes 2 vendeve janë të bashkuara tek besimi që kemi tek njëri- tjetri. Për ta çuar më tutje, ne kemi krijuar disa mekanizma të caktuara dhe qëllimi ynë është që brenda 2024 të zhvillojmë Këshillin e parë të Partneritetit Strategjik. Kjo do të jetë një platformë e rëndësishme për ne, shpresojmë që vëllimi i tregtisë midis 2 vendeve të arrijë deri në 2 miliardë Dollarë dhe do të bëjmë ç’të jetë e mundur për këtë. Mbrëmë patëm një takim me biznesmentët turq dhe diskutuam me ata për mundësitë e investimit që ata kanë në Shqipëri. Bashkëpunimi që kemi nuk është aq sa kapaciteti, duhet ta zhvillojmë dhe më shumë. Kemi mundësi të bashkëpunojmë dhe më shumë”, u shpreh ministri turk.