Miratimi i marrëveshjes Rama– Meloni për emigrantët, të rinjtë në protestë
Gjykata Kushtetuese miratoi dje marrëveshjen “Rama– Meloni” për emigrantët. Pas shqyrtimi të kërkesës së 30 deputetëve të opozitës të grupit të Berishës dhe Bardhit që kërkonin shfuqizimin e saj, gjykata vlerësoi se marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën. Pas këtij vendimi, disa të rinj protestuan para dyerve të kësaj gjykate, duke vendosur edhe një kurorë mortore me emrin “Gjykata Kushtetuese”. Me pankarta ne duar, të rinjtë bëjnë thirrje për anulimin e marrëveshjes, ndërsa shprehen: “Popull refugjatësh, kamp refugjatësh, stop kësaj marrëveshjeje, stop propagandës”! Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e 30 deputetëve të opozitës, të grupit të Berishës dhe të Bardhit, që kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes. Dhoma e Deputetëve në Itali ka miratuar me 155 vota pro, 115 kundër dhe dy abstenime projektligjin e ratifikimit të marrëveshjes Itali- Shqipëri për emigrantët, që parashikon hapjen e dy CPR- ve në territorin shqiptar, për të pritur 3000 emigrantë. Marrëveshja e firmosur në Romë më 6 nëntor të vitit të kaluar mes kryeministrave të të dyja vendeve përfshin emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane.
Ajo parashikon ngritjen e një pike në Shëngjin, ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendre në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, të cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes.