Kushtetuesja miraton paktin Rama- Meloni për refugjatët
GJK votoi 5- 4 në favor të marrëveshjes. Sipas vendimit, kryeministri Rama kishte plotfuqinë për ta negociuar dhe firmosur
Gjykata Kushtetuese miratoi dje marrëveshjen e emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë, të nënshkruar nga dy kryeministrat Rama- Meloni.
Kushtetuesja votoi 5- 4 në favor të kësaj marrëveshjeje, që parashikon qëndrimin e emigrantëve nga Afrika në Shqipëri për një periudhë kohore. Kjo gjykatë rrëzoi padinë e 30 deputetëve të opozitës lidhur me këtë marrëveshje, duke e quajtur në përputhje me Kushtetutën. Vendimi nuk ishte unanim, por marrëveshja kaloi me shumicë votash. GJK zbardhi vendimin me anë të cilit i ka dhënë dritën jeshile marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Lezhë. Në vendimin e shkurtuar theksohet se marrëveshja nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën, madje theksohet se kryeministri i vendit ka pasur plotfuqinë e nevojshme për ta firmosur këtë marrëveshje. Gjykata Kushtetuese deklaroi dje se protokolli për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane është në pajtim me Kushtetutën dhe lejoi ratifikimin e tij nga Kuvendi. Gjykata u vu në lëvizje nga kërkesa e një grupi deputetësh opozitarë, që e shohin si të papajtueshëm me Kushtetutën, protokollin mbi pritjen në territorin shqiptar të emigrantëve të kapur në ujërat ndërkombëtare nga anijet e autoriteteve italiane. Gjykata Kushtetuese theksoi në vendimin e djeshëm se protokolli vepron në dy zona, ku zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane dhe sa u takon të drejtave dhe lirive të njeriut, aty vepron një juridiksion i dyfishtë, ku juridiksioni italian nuk përjashton atë shqiptar. Gjykata Kushtetuese vendosi dje të lejojë ratifikimin nga Kuvendi të Protokollit mes Italisë dhe Shqipërisë mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, pasi e deklaroi atë në pajtim me Kushtetutën. Kushtetuesja i dha dritën jeshile protokollit Meloni- Rama, ratifikimin nga Kuvendi, të cilin e pezulloi afro një muaj e gjysmë më parë, sapo mori kërkesën e një grupi deputetësh opozitarë, që pretenduan se ai binte në kundërshtim me Kushtetutën. Në vendimin e djeshëm, gjykata vlerësoi se protokolli nuk cakton kufij territorialë dhe nuk ndryshon integritetin territorial të Shqipërisë. Nga ana tjetër, gjykata theksoi se në dy zonat ku vepron protokolli zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane, pra në to vepron një juridiksion i dyfishtë sa u takon lirive dhe të drejtave të njeriut, ku juridiksioni italian nuk përjashton juridiksionin shqiptar. Në vendim thuhet se e drejta ndërkombëtare që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është e detyrueshme për t’u zbatuar si nga Shqipëria, edhe nga Italia si marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara më herët prej tyre. Sipas Gjykatës Kushtetuese, protokolli nuk vë në dyshim përgjegjësinë e shtetit shqiptar, që buron nga normat kushtetuese dhe nga e drejta ndërkombëtare. Gjykata theksoi se pretendimi për cenimin e të drejtave të të huajve nga protokolli është i pabazuar, sepse në të nuk shtohen as kufizohen liri dhe të drejta më shumë se ato që parashikon ligji shqiptar. Grupi i deputetëve opozitarë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese edhe me pretendimin tjetër se protokolli u arrit pa një autorizim nga Presidenti i Republikës. Por, gjykata theksoi se qeveria kishte plotfuqishmëritë e duhura për negocimin dhe nënshkrimin e këtij protokolli, sepse traktati i miqësisë
italo- shqiptare i vitit 1995 është një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar sipas nenit 180 të Kushtetutës dhe se ai është një bazë e mjaftueshme që protokolli Meloni- Rama të autorizohej për negocim nga kryeministri dhe të nënshkruhej prej tij. Me vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi e ka rrugën të hapur për të çuar deri në fund ratifikimin e protokollit Meloni- Rama, ndërsa qeverisë i duhet të mbajë parasysh këto vlerësime të gjykatës gjatë hartimit të akteve nënligjore për ta vënë në zbatim atë. Protokolli u nën
shkrua në Romë më 6 nëntor nga kryeministrja italiane Georgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Në të parashikohet pritja e emigrantëve të kapur në ujërat ndërkombëtare nga anijet e autoriteteve italiane. Sipas atij dokumenti, në Shëngjin ngrihet një pikë për të verifikuar emigrantët, shumica nga Afrika Veriore, ndërsa në Gjadër ngrihet një qendër, nën juridiksionin, përgjegjësinë dhe financimin e Italisë, ku ata do të mbahen të izoluar deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Në Kuvendin e Shqipërisë dokumenti u mirat
ua nga ligjvënësit socialistë në mbledhje “online” nga komisionet parlamentare, pa praninë e deputetëve opozitarë. Një grup prej tyre iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën se protokolli u arrit pa transparencë dhe pa u marrë autorizimi i Presidentit të Republikës. Ata theksuan se protokolli shkel disa prej të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, parashikuar në Kushtetutë, në Konventat Europiane të të Drejtave të Njeriut, për të Drejtën e Traktateve, për statusin e refugjatit si dhe ligje vendëse për marrëveshje ndërkombëtare, për të huajt, për azilin. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar protokollin me Italinë si një qasje strategjike ndaj një partneri strategjik për Shqipërinë dhe sipas tij, e gjithë zhurma bëhet për faktin se për herë të parë një marrëveshje e tillë nënshkruhet me një vend joanëtar i Bashkimit Europian. Me gjithë kritikat e shumë organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe kundërshtimet e partive opozitare në dy anët e detit Adriatik, protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë u miratua pesë ditë më parë nga Dhoma e Deputetëve në Parlamentin italian. Por përfaqësuesit e shumicave qeverisëse në Romë dhe në Tiranë e shohin këtë protokoll si një nismë për politika të reja mbi migrimin dhe kufijtë, si dhe një ndihmë që shkëmbehet mes dy fqinjëve tradicionalë, që i janë përgjigjur njëri- tjetrit në përballimin e sfidave të ngjashme të migrimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Më 6 nëntor 2023, kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes, ata do të strehohen në Gjadër, ku do të jetë kampi dhe vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër. Kjo marrëveshje është miratuar nga Parlamenti italian. Me vendimin e djeshëm të Kushtetueses, marrëveshjes i hapet rruga për të kaluar për votim në Parlament dhe kërkon shumicë të thjeshtë votash.